Ja sa vlen e gjithë Kombëtaria Shqiptare
Barazimi 1-1 më Norvegjinë në “Qemal Stafa” ishte sfida e fundit e sezonit për futbollistët e Kombëtares Shqiptare, për t’ia lënë më pas vendin periudhës së pushimeve që për shumë prej tyre do të jetë e trazuar për shkak të tratativave për të ndryshuar skuadër. Jehona e dy rezultateve pozitive radhazi me Norvegjinë dhe mbi të gjitha klasifikimi i Shqipërisë në vendin e 38 në renditjen e FIFA-s ka ndikuar në rritjen e vlerës së kartonit të kuqezinjve, që gjithsesi në tregun e madh botëror të shit-blerjeve të futbollistëve zë një vend modest. Sa vlen në total skuadra e Gianni De Biasit, pretendentja kryesore për vendin e dytë në Grupin E? Bazuar te shifrat e publikuara nga uebsajti i specializuar gjerman “Transfermarkt”, vlera totale e kombëtares shqiptare arrin 31.150.000 euro. Bëhet fjalë për 26 futbollistët e listës së ndeshjes kundër Norvegjisë, tre të pezulluarit Cana, Roshi dhe Lila, të dëmtuarit Meha, Kukeli dhe Sadiku, si dhe dyshja e Odesa Chernomorec Vangjeli – Bakaj, pra në total janë 34 lojtarë. Lorik Cana mbetet lojtari më i vlerësuar i kombëtares shqiptare me 3.3 milionë euro. Pas futbollistit të Lazios vijnë Samir Ujkani, që vlen 3 milionë euro, Mërgim Mavraj 2.25 milionë, Armend Dallku 1.5, Amir Abrashi 1.25 milionë, më pas Hamdi Salihi dhe Elis Bakaj me 1.1 milionë euro. I vetmi futbollist kuqezi që nuk është vlerësuar për çmimin e kartonit ndoshta për mungesë të informacionit, është mbrojtësi i Orebros në kampionatin suedez Ilir Berisha, ndërsa vlerën më të ulët të kartonit e kanë Erjon Bogdani 300 mijë, Ansi Agolli 350 mijë dhe Ervin Bulku 400 mijë euro.