Moratti ofron 30 % të aksioneve



Ofertës së miliarderit indonezian, Eric Thohir prej 300 milion eurosh për 100 përqind të aksioneve të Interit, apo 260 milion euro për 80 përqind prej tyre Moratti u është përgjigjur me një tjetër ofertë. 

Mediat italiane njoftojnë lajmin se pas bisedimeve të stërgjatura, presidenti i zikaltërve, që e trashëgoi klubin nga babai i tij, i ka ofruar miliarderit indonezian 20-30 përqind të aksioneve.

Burime nga klubi italian thonë se bisedimet kanë nisur që më datë 1 maj dhe se ato vazhdojnë me ritme të qeta, sepse s’ka asgjë për t’u nxituar. Thuhet se procesi i arritjes së një marrëveshje mes palëve dhe kalimit të aksioneve mund të zgjasë për muaj me radhë.

Në marrëveshjen e mundshme pritet të përfshihet edhe partneriteti mes presidentit Moratti, nëse ky i fundit do të ruajë shumicën e aksioneve të klubit dhe miliarderit indonezian për ndërtimin e stadiumit të ri.