Zëri i Kosovës u ndie edhe në Rusi. Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë në turneun ‘World Masters’ në qytetin Tyumen, duke bërë që rusët të ngriten në këmbë, në shenjë respekti për himnin e Kosovës. Trajneri Driton Kuka u ndie mirë për këtë fakt, ndërsa shtoi se ky ishte njëri prej sukseseve më të mëdha në karrierë të xhudistes pejane.
Majlinda Kelmendi e regjistroi dje një tjetër rezultat të rëndësishëm të karrierës së saj, duke triumfuar në turneun ‘World Masters’, pasi e fitoi medaljen e parë të artë.
Por, ajo që ishte me rëndësi ishte se xhudistja kosovare festoi pikërisht në Rusi, ku edhe u intonua himni i Republikës së Kosovës.
Trajneri Driton Kuka thotë se kjo ishte një ndjenjë e veçantë, duke e pasur parasysh se shikuesit e përshëndetën xhudisten pejane, edhe pse vjen nga një vend që shteti i tyre nuk e njeh.
“Ishin ndjenja të veçanta që në Rusi e ngritëm në këmbë një publik, në një garë të këtij niveli”, theksoi për Express trajneri pejan.
Kjo ishte hera e parë që fituesja e medaljes së bronztë në Evropianin e fundit, e fiton një medalje në një turne ‘World Masters’, i cili është më i rëndësishëm se evenimentet Grand-Prix dhe më i rëndësishmi sivjet.
“Masters ka konkurrencë të fortë, pasi aty marrin pjesë 16 më të mirat e botës dhe për këtë quhet ‘The best of dhe best’. Synim yni ka qenë një medalje në turnetë Masters, pasi na mungonte, sepse dy herë kemi përfunduar garat në vendin e pestë. Kënaqësia ime dhe e Majlindës është se ky sukses u arrit mu në Rusi”, shtoi Kuka.
Ai tregoi se Majlinda do të pushojë paksa, para se t’i fillojë përgatitjet për Botëror, që do të mbahet në Rio De Janeiro të Brazilit, në fund të muajit gusht.
Majlinda ka fituar medalje në të gjitha kompeticionet e rëndësishme, pos në Botëror dhe Olimpiadë. Nëse vazhdon me ritëm të njëjtë, ajo mund të kap medalje edhe në këto evenimente.