Tifozët e Galatasarayt e vrasin tifozin e Fenerbahçes
Një tifoz i Fenerbahçes e ka gjetur vdekjen nga sulmi i tifozëve të Galatasarayt, pas ndeshjes së mbrëmshme në derbin e Stambollit. Burak Yildirim, 19 vjeç, ishte duke u kthyer në shtëpi pas ndeshjes, e cila përfundoi 2:1 në të mirë të Fenerbahçes, kur është sulmuar nga grupi i tifozëve të Galatasarayt, në afërsi të autobusit. Yildirim u transportuar menjëherë në spitalin Bezmialem Vakif University Hospital, pas incidentit, por vdiq, përkundër shërbimeve më të mira të mundshme mjekësore. Vrasësit nuk janë identifikuar ende, ndërsa policia i ka hapur hetimet rreth këtij incidenti. Fenerbahçe, përmes uebfaqes së vetë zyrtare, e ka shprehur keqardhjen për familjen e viktimës, duke e dënuar incidentin.
